Përfundon procesi i azhurnimit të zonave të bardha, gri dhe të zeza në vend dhe procesi i hartëzimit të përdorimit të shërbimit të aksesit me broadband

Zyra Kombëtare Kompetente për Broadband (ZKKB) në seancën e 22-të të mbajtur më 28 janar 2021, diskutoi finalizimin e azhurnimit të zonave të bardha, gri dhe të zeza në vend, si dhe përdorimin e shërbimit të aksesit me broadband në nivelin e vendbanimeve (përsa i përket shpejtësisë dhe teknologjisë), në të gjithë vendin.

Presidenti i ZKKB, Dimitar Bukovalov vuri në dukje se të dy proceset ndikojnë fuqimisht në zbatimin e mëtejshëm të Planit Operativ Kombëtar të Broadband (POKB), dhe në të njëjtën kohë janë një parakusht i rëndësishëm për fillimin e Studimit të Fizibilitetit për ndërtimin e Rrjetit Kombëtar Optik Transportues(RKOT).

Anëtari i ZKKB-së, Zoran Dervishov, informoi se procesi i hartës së zonave të bardha, gri dhe të zeza ka përfunduar, dhe se sipas të dhënave të marra, numri i familjeve në zonat e bardha ka rënë, që është një shifër optimiste.

Lidhur me procesin e hartëzimit të përdorimit të shërbimit të aksesit me bandë të gjerë në nivelin e vendbanimeve (përsa i përket shpejtësisë dhe teknologjisë) në nivel të gjithë vendit, ai theksoi se të dhënat e marra nga operatorët nuk janë të standardizuara dhe se duhet më shumë kohë për analiza dhe përpunimin e tyre, por që përqindja e tyre është mjaft e lartë. Operatorët do të duhet të vazhdojnë procesin e plotësimit të të dhënave të atributeve për rrjetet, në mënyrë që të marrin një pamje të qartë të parametrave teknikë të rrjeteve që i përdorin dhe i posedojnë operatorët.